Vijon kontrolli i territorit në të gjithë qarkun e Durrësit, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Arrestohen 2 shtetas, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Procedohen penalisht 7 kryepleq në fshatrat e Durrësit dhe Krujës dhe kryetari i Njësisë Administrative Cudhi, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të kontrollit masiv të territorit, në fshatin Vardardhë, Njësia Administrative Sukth, në një ambient të hapur, kanë konstatuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit A. T., 43 vjeç dhe H. H., 34 vjeç, banues në Vardardhë, Sukth.
Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi Q. D., me detyrë kryeplak i fshatit Vardardhë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
—
Po gjatë kontrollit të territorit, janë evidentuar disa raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë u proceduan penalisht shtetasit:
O. K., me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Cudhi, S. V., A. P., G. F., M. H., A. B. dhe S. S., me detyrë kryepleq të fshatrave Cudhi Zall, Bruz Zall, Shkretë, Cudhi Kampt, Bruz Mal dhe Mafsheq, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi nuk kanë kryer detyrën sipas ligjit, për të informuar Policinë për kultivimin e bimëve narkotike në zonat që ato mbulojnë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.