Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mat u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., 19 vjeç, banues në Komsi, Mat, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në automjetin tip “Mercedez Benz”, që drejtohej nga ky shtetas, është gjetur dhe sekuestruar një armë e ftohtë (thikë).
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër kanë referuar materialet në Prokurori dhe ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin D. K., 12 vjeç, pasi ka goditur me mjet prerës, në këmbë, për motive të dobëta, shtetasin H. K., 15 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët e Policisë Rrugore kanë referuar materialet në Prokurori dhe ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin H. K., 18 vjeç, banues në Burrel, pasi është kapur duke drejtuar automjetin tip “Mercedez Benz”, pa leje drejtimi.
Gjithashtu, janë referuar materialet në Prokurori dhe ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin D. R., 69 vjeç, banues në Dibër, pasi në fshatin Bllatë, Maqellarë, është konstatuar duke kryer punime në një objekt, në tejkalim të lejes së ndërtimit të përcaktuar nga organet kompetente.
—
Në malin e fshatit Trebisht, është gjetur pa shenja jete shtetasi R. S., 85 vjeç, i cili ka qenë i shpallur në kërkim pasi ishte larguar nga banesa, më datë 20.04.2022. Nga veprimet e kryera nga grupi hetimor dhe këqyrja e trupit të viktimës nga eksperti mjeko-ligjor, nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprime të mëtejshme.