DVP Dibër/Vihen në pranga 2 shtetas

DVP Dibër

➡️ Evidentohet dhe goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike. Vihet në pranga një 34-vjeçar që shiste kanabis në qytetin e Bulqizës.

➡️ Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 49-vjeçar nga Kruja, i cili ishte në kërkim policor për kultivim bimësh narkotike.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe kontrollet e vazhdueshme me fokus goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, arrestuan në flagrancë shtetasin S. D., 34 vjeç, banues në fshatin Dushaj.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e një lokali në të cilin ndodhej ky shtetas, dhe më pas gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, gati për shitje. Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike, e ndante në doza dhe më pas e shiste në qytetin e Bulqizës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar punën, ku në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, është lokalizuar në Krujë dhe është vënë në pranga shtetasi A. K., 49 vjeç, banues në Fushë-Krujë.

Gjykata e Dibrës ka caktuar ndaj 49-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas dyshohet se është bashkëautor me djalin e tij (i arrestuar më parë), i kultivimit të 1800 fidanëve dhe bimëve narkotike në fshatin Okshtun të Bulqizës, të evidentuar dhe goditur nga Policia, më 10 qershor 2025.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

#angazhimpërkushtimsakrificë
#tëvendosurkundërkrimit ✅
#nëçdoskajtëvendit
#nëshërbimtëqytetarëve