DVP Dibër / Takim ndërinstitucional për koordinimin e masave kundër kultivimit të bimëve dhe trafikut të narkotikëve.
Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër u zhvillua takimi i grupit rajonal për qarkun Dibër, i drejtuar nga Drejtori në detyrë i DVP Dibër Drejtues Armir Gjikolaj, me pjesëmarrjen e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, Prokurores znj. Rajmonda Xhelollari, Drejtuesit të Shërbimit Informativ Shtetëror Dibër, z. Sami Delishi, Shefit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Dibër, z.Behar Sulejmani, drejtues të Komisariatit të Policisë Kufitare, si dhe drejtuesve të tjerë të strukturave të DVP Dibër.
Gjatë takimit u analizua puna e realizuar gjatë vitit 2025 dhe masat që po zbatohen aktualisht, si dhe u evidentuan problematikat dhe sfidat që lidhen me terrenet e vështira, ku janë konstatuar tentativa për kultivim, bazuar edhe në përvojat e viteve të mëparshme.
Gjithashtu, u shqyrtua ecuria e masave të marra si identifikimi i zonave me rrisk të lartë dhe ushtrimi i kontrolleve dhe rikontrolleve për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Falë bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe institucioneve ligjzbatuese, ky fenomen ka njohur një rënie të vazhdueshme në qarkun e Dibrës, duke dëshmuar efikasitetin e strategjive të ndjekura.
Në këtë kuadër, u përcaktuan masat dhe prioritetet për vitin 2026, me fokus intensifikimin e kontrolleve, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përdorimin e metodave të avancuara të monitorimit të territorit, me qëllim goditjen e çdo tentative kultivimi që në fazat e hershme.
Strukturat e DVP Dibër mbeten maksimalisht të angazhuara në parandalimin dhe goditjen e çdo rasti të kultivimit të bimëve narkotike, duke vijuar kontrollet dhe operacionet në të gjithë territorin e qarkut. ✅


\



