Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. Sh., 38 vjeç, banues në Berat (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”), pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje.
—
Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. K., 26 vjeç, banues në Berat, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
—
Pas pamjeve të transmetuara në televizionin “News 24”, në të cilat shfaqej një shtetas që po shkarkonte mbetje të ujërave gëlqerore, në lumin Osum, ju informojmë se menjëherë pas transmetimit, shërbimet e Policisë Poliçan nisën verifikimet për këtë rast. Në përfundim të veprimeve hetimore u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. D., 30 vjeç, banues në Poliçan, për veprën penale “Ndotja e habitateve natyrore”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.