DVKM Vlorë/Intensifikohen kontrollet përgjatë vijës bregdetare, verifikohen mbi 200 mjete lundruese

DVKM Vlorë
Intensifikohen kontrollet përgjatë vijës bregdetare, verifikohen mbi 200 mjete lundruese.
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë ka shtuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare të qarkut, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në hapësirën detare, si dhe parandalimin e çdo veprimtarie të paligjshme që mund të zhvillohet në këtë hapësirë.
Gjatë 10 ditëve të fundit, në bashkëpunim me Repartin Delta Force, Guardia di Finanza dhe strukturat e tjera partnere, janë realizuar kontrolle intensive nga toka dhe deti, me fokus zonat më të frekuentuara nga mjetet lundruese.
Si rezultat, janë verifikuar mbi 200 mjete lundruese, të cilave iu është kontrolluar dokumentacioni përkatës, pajisjet e sigurisë, si dhe respektimi i itinerareve të miratuara. Këto veprime synojnë jo vetëm garantimin e lëvizjes së sigurtë për qytetarët dhe turistët, por edhe forcimin e kontrollit për të parandaluar rastet e trafikimit dhe krimet mjedisore.
Gjatë kontrolleve të kryera në bashkëpunim me Guardia di Finanza, DVP Vlorë dhe Rojen Bregdetare , u konstatuan duke pluskuar në det, 43 bidona plastikë që dyshohet se janë të mbushur me lëndë hidrokarbure. Bidonat u sekuestruan në SPK Triport. Vijojnë veprimet hetimore për këtë rast.
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë mbetet e angazhuar për të garantuar një sezon turistik të qetë dhe të sigurtë, ndaj do të vijojë kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare.
Qytetarët, për çdo rast nevoje për ndihmë dhe për të denoncuar paligjishmëritë, mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
https://youtu.be/8Lez1WtPyWQ