DVKM Korçë/Kontrabandoi nga Maqedonia e Veriut, një sasi nafte, arrestohet

DVKM Korçë

Kontrabandoi nga Maqedonia e Veriut, një sasi nafte, kapet në flagrancë gjatë transportimit të saj dhe vihet në pranga 31-vjeçari.

Procedohet penalisht një doganier, për shpërdorim detyre.

Sekuestrohet sasia e naftës.

Në vijim të punës së intensifikuar të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, gjatë sezonit veror, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, është goditur një rast i kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë.

Në aksin rrugor “Pustec-Bigëll”, në afërsi të PKK Goricë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin M. P. Gjatë kontrollit në automjet u konstatua një depozitë rezervë me një sasi nafte, për të cilën shtetasi M. P. nuk kishte ndonjë dokument apo faturë.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë:
-arrestuan në flagrancë shtetasin M. P., 31 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin E. F., 46 vjeç, banues në Rogozhinë, doganier në PKK Goricë, pasi dyshohet se nuk ka kryer kontroll në automjetin e shtetasit M. P.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
—–
Pogradec

Shkeli perimetrin e sigurisë ujore, duke lundruar me varkë metalike, ndëshkohet me masë administrative 100 000 lekë, drejtuesi i mjetit lundrues.

Bllokohet nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, mjeti lundrues.

Shërbimet e Policisë Kufitare Pogradec, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, krahas patrullimit të vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, kanë konstatuar në vendin e quajtur “Guri i Kuq”, një varkë metalike që po lundronte në afërsi të pushuesve.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar mjetin lundrues dhe kanë ndëshkuar drejtuesin e tij, shtetasin E. B., me masën administrative 100 000 lekë, për shkelje të nenit 24/1/c “Zhvillimi i aktiviteteve jashtë zonave të kufizuara”, të ligjit nr. 43/2020.

Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për pushuesit, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.

Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm.