Gjatë kontrolleve të imtësishme, të kryera në bazë të analizës së riskut, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë konstatuan në hyrje të Republikës së Shqipërisë, 2 raste të paligjshmërive në kufi. Konkretisht:
-në PKK Qafë Thanë, gjatë kontrollit në kamionin që drejtonte shtetasi V. T., 30 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut, u gjet i fshehur nën rimorkio, 1 shtetas maroken. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 30-vjeçarin, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”;
-në PKK Goricë, gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte shtetasi T. A., 63 vjeç, banues në fshatin Zaroshkë, u gjetën produkte ushqimore dhe medikamente, të papajisura me fatura blerjeje. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 63-vjeçarin, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”. Gjithashtu, mallrat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Kontrollet kundër paligjshmërive në kufi dhe tentativave për të lëvizur ilegalisht, vijojnë, krahas punës për menaxhimin e fluksit dhe ofrimin e një shërbimi policor të shpejtë dhe me etikë për qytetarët.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.