Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë
Vijojnë operacionet nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të kufijve, në mënyrë të paligjshme.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Pagesa”.
Organizonte dhe zhvillonte veprimtarinë e dhënies ndihmë për kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme, kundrejt pagesës – vihet në pranga 24-vjeçari maroken.
24-vjeçari u kap në flagrancë, në fshatin Qytezë, Devoll, duke shoqëruar dy shtetas të tjerë marokenë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë dhe me Prokurorinë e Korçës, bazuar në informacionet policore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Pagesa”. Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi maroken:
O. Ch., 24 vjeç, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë marokenë, ndihmonte emigrantë nga vendet e treta, kundrejt pagesës, për të hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë dhe më pas për t’u larguar drejt vendeve të BE-së, nëpërmjet Malit të Zi.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.