DVKM Korçë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Lugina 3”

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë

Vijojnë operacionet nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të kufijve, në mënyrë të paligjshme.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Lugina 3”.

Organizonte dhe zhvillonte veprimtarinë e dhënies ndihmë për kalimin të kufijve në mënyrë të paligjshme, kundrejt pagesës, vihet në pranga 20-vjeçari (shtetas algjerian).

20-vjeçari u kap në flagrancë gjatë natës, në fshatin Kapshticë, duke shoqëruar një shtetas algjerian.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë dhe me Prokurorinë e Korçës, bazuar në informacionet policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Lugina 3”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi algjerian:

A. B., 20 vjeç, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë algjerianë, ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, që të hynin ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë, dhe më pas për të kaluar në vendet e BE-së, nëpërmjet Malit të Zi.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.