DVKM Korçë/Finalizohet operacioni i koduar “Itinerari 3”

DVKM Korçë

Vijojnë operacionet kundër dhënies së ndihmës emigrantëve për të kaluar kufijtë ilegalisht.

Finalizohet operacioni i koduar “Itinerari 3”.

Vihet në pranga një tjetër shtetas sudanez, i cili në bashkëpunim me shtetas të tjerë në Greqi, organizonin dhe ndihmonin emigrantë për të kaluar kufirin ilegalisht nga Greqia, në drejtim të vendit tonë me qëllim destinacioni një nga vendet e BE-së.

Si rezultat i hetimeve dhe punës operacionale intensive, të kryera me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në kufi, dhe konkretisht aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës, kundrejt pagesës, emigrantëve që synojnë të shkojnë në mënyrë të kundërligjshme në shtete të BE-së, strukturat e DVKM Korçë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Itinerari 3”.

Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi M. S., 25 vjeç, banues në Darfur, Sudan.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se ky shtetas në bashkëpunim me shtetas të tjerë, të cilët dyshohet se ndodhen në Greqi, organizonin dhe ndihmonin emigrantë për të kaluar ilegalisht nga Greqia në territorin e Shqipërisë nëpërmjet kufirit të gjelbër, në zonën e Devollit.

Dy prej emigrantëve të parregullt u kapën nga shërbimet e Sektorit të Hetimit të Krimit të DVKM Korçë, në malin Moravë.

Punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.

Materialet procedurale për këto raste iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.