Durrës – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Finalizohet operacioni policor i koduar “Koordinimi”

Operacioni, nga DVP Durrës, në koordinim me Interpol Tirana.

Kapet dhe arrestohet një 34-vjeçar, me qëllim ekstradimi në Itali, i dënuar për disa vepra penale.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, krahas angazhimit maksimal për monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën për goditjen e paligjshmërisë dhe për kapjen e personave në kërkim.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Durrës, në koordinim me Interpol Tirana, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Koordinimi”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestua, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasi Bekash Qerimi, 34 vjeç, banues në Durrës.

Gjykata e Apelit në Venecia, Itali, e ka dënuar me 14 vjet burg, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Vjedhja me armë” dhe “Vjedhja”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Materialet e arrestimit të përkohshëm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.