Durrës – Vihen në pranga 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin B. D., 24 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, dy grirëse lëndësh narkotike dhe sende të tjera që shërbejnë për përpunimin e lëndëve narkotike.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar arrestuan në flagrancë shtetasin G. S., 38 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi. Gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjet dhe u sekuestrua një leje drejtimi e dyshuar e falsifikuar.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasit A. G., 33 vjeç dhe A. H., 59 vjeç, banues në Durrës, pasi u kapën nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetet përkatëse, në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.