Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja”, shtetasin A. R., 30 vjeç, banues në Korçë, pasi ka vjedhur aparatin celular të një shtetasi.
Po nga këto struktura u ndalua shtetasi M. B., 33 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë, i shpallur në kërkim për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Specialistët për Hetimin e Krimit të Postës të Policisë Manzë arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, shtetasin D. A., 21 vjeç, banues në Sukth, Durrës, pasi gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan fishekë luftarakë, fishekë manovër dhe një përforcues grushti.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit”, shtetasin K. Xh., 38 vjeç, banues në lagjen nr. 18, Durrës, pasi duke drejtuar automjetin ka aksidentuar këmbësorin, shtetasin K. Sh., i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.