Durrës
Shkon në 8 numri i drejtuesve që drejtonin automjetet në gjendje të dehur dhe tentojnë të korruptojnë punonjësit e Policisë, për t’iu shmangur testit të alkoolit dhe arrestimit.
Kreu manovra të rrezikshme me automjetin që e drejtonte në gjendje të dehur dhe tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Rrugore që e konstatuan, arrestohet në flagrancë 47-vjeçari.
Gjatë patrullimit, me objektiv parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit i bënë shenjë ndalimi drejtuesit të një automjeti, të cilin e konstatuan duke bërë manovra të rrezikshme në rrugën “Hysen Kërtusha”.
Nga kryerja e testit të alkoolit, drejtuesi i automjetit rezultoi në gjendje të dehur.
Për të shmangur ndëshkimin ligjor, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. B., u ka ofruar punonjësve të Policisë para, me qëllim që të mos i kryenin testin e alkoolit.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, shtetasi A. B., 47 vjeç, banues në Durrës, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
Gjatë këtyre dy muajve të parë të këtij viti, Policia Rrugore e Durrësit ka goditur 8 raste të mitdhënies me qëllim shmangien e përgjegjësisë ligjore dhe administrative.
Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
