Durrës – Takim sensibilizues për koordinimin e masave me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike

Në takimin që u zhvillua në ambientet e Bashkisë Durrës, morën pjesë Zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike Kryekomisar Çlirim Nela, Shefi i Komisariatit të Policisë Durrës, Komisar Algert Gjonaj, Shefi i Sektorit për Krimet në Volum, Kryekomisar Arian Dodaj dhe përfaqësues të institucionit të Bashkisë.

Gjatë takimit u theksua se lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike mbetet një prioritet i Policisë së Shtetit, i cili duhet të vlerësohet në mënyrë të integruar, jo vetëm si çeshtje kriminale, por dhe si problem social që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë publike, shëndetin dhe të ardhmen e komunitetit.

Më tej, gjatë diskutimeve u theksuan këto aspekte:
-kontrolli i vazhdueshëm i territorit nga grupet e përbashkëta në terren;
-shkëmbimi në kohë i informacionit ndërmjet strukturave për reagim sa më të shpejtë dhe efikas;
-bashkëpunimi me komunitetin, si një faktor i rëndësishëm për parandalimin dhe evidentimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Policia e Durrësit apelon për bashkëpunim dhe denoncim të cdo indicieje për këtë veprimtari kriminale, si dhe garanton reagim të menjëhershëm dhe zbatim të plotë të ligjit ndaj çdo tentative/rasti në këtë fushë.