Durrës/Shpërndante lëndë narkotike në qytet, kapet dhe vihet në pranga 19-vjeçari

Durrës/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Shpërndante lëndë narkotike në qytet, evidentohet, kapet dhe vihet në pranga 19-vjeçari.
Sekuestrohet një sasi lënde narkotike.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës intensive për goditjen e njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë goditur një tjetër rast të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, është bërë e mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit E. H., 19 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas shpërndante lëndë narkotike të llojit cannabis sativa në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike, të cilën ky shtetas do ta shiste në doza, në lagje të ndryshme të qytetit.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.