Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ardi Veliu gjatë prezantimit të forcës së posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës
I nderuar z. ministër Lleshaj,
Të nderuar deputetë,
I nderuar prefekt i qarkut,
I nderuar kryetar i qarkut,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor dhe drejtues të institucioneve,
Të nderuar drejtues e kolegë të DVP Durrës,
Siguria është faktori kyç për zhvillimin kapilar jetik të vendit dhe në këtë kontekst Policia është aktori kryesor për të prodhuar rend e siguri dhe garantja kryesore për t’i mbrojtur ato.
Sigurisht që e vetme dhe pa mbështetjen e qytetarëve dhe të qeverisë dhe ligjvënësve, Policia nuk mund t’i realizojë dot më së miri këto prioritete madhore, apo kur ajo është e vogël në numër, e pa trajnuar dhe pa bazën logjistike të nevojshme për të kryer detyrën.
I preka këto elemente thelbësore për të bërë prezent më mirë para publikut arsyen e këtyre takimeve, që në konceptin tim janë takime shumë me vlerë, pasi do forcojnë më shumë bashkëpunimin me qytetarët dhe do rrisin besimin e tyre te Policia.
Të nderuar pjesëmarrës,
Gjatë viteve të fundit, Policia e Shtetit është përfshirë në një proces të gjerë transformimi, në filozofi, trajnime, rinovim të moshës, shtim të organikës dhe të bazës logjikstike dhe në pajisjen me automjete të reja.
Falë mbështetjes së qeverisë dhe me kujdesin e veçantë të Kryeministrit të vendit Edi RAMA, vetëm para një muaji Policisë së Shtetit iu shtuan 500 funksione organike, ndërsa përgjatë viteve të fundit mbi 1700 të tilla.
Kjo mbështetje e rëndësishme për Policinë e Shtetit na dha mundësinë që të krijonim në të gjitha Drejtoritë Vendore, forcën e posaçme “Shqiponjat” dhe të shtonim në pikat e kalimit kufitar të reja e të rinj, duke përmirësuar akoma më tej shërbimin për qytetarët.
Tashmë nuk kemi më një skuadër eksperimentale në çdo drejtori vendore, por kemi një forcë të kompletuar me vajza e djem të aftë profesionalisht, të mirëpajisur me logjistikë e me mjete të reja bashkëkohore.
Të nderuar deputetë dhe përfaqësuese e komisionit parlamentar të sigurisë,
Mbështetja juaj për Policinë është një shërbim që shkon drejtpërsëdrejti te qytetari, pasi Policia në vetvete është një organizatë në shërbim të qytetarëve dhe për këtë gjej rastin t’ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimet për kontributin tuaj në mbështetje të Policisë së Shtetit.
Qarku Durrës në tërësi është një qark jo i lehtë për t’u menaxhuar nga strukturat e Policisë, për shkak të situatës kriminale të trashëguar ndër vite, por falë përkushtimit dhe punës profesionale të strukturave të Policisë që operojnë në këtë qark, aktualisht kemi një qark me parametra optimale të sigurisë.
Reagimi në kohë e me profesionalizëm dhe puna e përbashkët hetimore e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë bërë që disa ngjarje të rënda kriminale të zbardhen në kohë dhe autorët të vihen në pranga.
Bashkëpunimi me qytetarët ka qenë efikas dhe shumë vendimtar në parandalimin e disa konflikteve me armë që mund të çonin në ngjarje më të rënda kriminale me pasojë në jetën e njerëzve.
Të nderuar kolegë,
Ju përballuat me profesionalizëm dhe përkushtim ngarkesën maksimale për shkak të fatkeqësisë natyrore të tërmetit, të pandemisë COVID-19, të parandalimit të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, të sezonit turistik dhe të parandalimit e goditjes së krimeve ndërkufitare dhe për të gjitha këto ju falënderoj dhe ju inkurajoj që të vijoni më të njëjtin intensitet edhe në muajt në vijim në të tjera sfida të përditshme.
Për qytetarët e qarkut Durrës, forca e posaçme “Shqiponjat” që sot prezantojmë është një mundësi për më shumë siguri, ndaj kërkoj nga të gjithë ju të mos ia vrisni këtë shpresë qytetarëve, por të punoni me përkushtim, ndershmëri e sakrificë, për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë në tërësi dhe të shfaqni një performancë sa më të mirë në publik, duke bërë që qytetarët të shikojnë tek “Shqiponjat” dhe Policia në tërësi, sigurinë dhe engjëjt mbrojtës të sigurisë.
Suksese e punë të mbarë!