Durrës – Policia e Durrësit ka goditur brenda muajit shkurt, rastin e tretë të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla

Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për monitorimin e zbatimit të masave anticovid.
Policia e Durrësit ka goditur brenda muajit shkurt, rastin e tretë të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.
Sekuestrohen 4 doza me lëndë narkotike kokainë dhe një sasi parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.
Ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, pronari një lokali që vijonte të ushtronte aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në doza, organizuan punën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin:
R. V., 30 vjeç, banues në Maminas, Durrës.
Shërbimet e Policisë e kanë ndaluar në Maminas, shtetasin R. V., i cili po drejtonte mjetin tip “Peugeot” dhe nga kontrolli i ushtruar në mjet iu gjetën 4 doza me lëndë narkotike kokainë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dozat e lëndës narkotike, mjeti tip “Peugeot”, 3 aparate celularë dhe një shumë parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, pronarin e një lokali:
Shtetasin S. C., pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke ushtruar aktivitetin pas orarit të përcaktuar për mbyllje.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë pronarët dhe administratorët e lokaleve që të respektojnë me korrektësi masat anticovid, për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese, duke u kthyer burim rreziku për qytetarët.