Durrës/Policia e Durrësit dhe aktorët e tjerë të ngarkuar me përgjegjësi, plotësisht të koordinuar për të parandaluar dhe goditur veprimtaritë kriminale në fushën e narkotikëve.
Si rezultat i angazhimit maksimal të punonjësve të Policisë së Durrës, veprimtaria e kultivimit të bimëve narkotike, nga viti në vit, ka shënuar rënie.
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, u zhvillua takimi i grupit rajonal për qarkun Durrës, Drejtori në detyre i kësaj
drejtorie Drejtues Afrim Tafa, me pjesëmarrjen e Drejtueses së Prokurorisë së Durrësit zj. Suela Beluli, Drejtorit të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar z. Edmond Rizai, Drejtorit të DVKM Durrës z. Ermal Lila, përfaqësuesve të Prefekturës dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe punonjësve të Policisë së Durrësit.
Në fokus të këtij takimi ishin:
-analiza e punës së bërë gjatë vitit 2025;
-ecuria e zbatimit të masave të ndërmarra deri tani;
-përcaktimi i saktë i zonave më me risk përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike, zona në të cilat janë konstatuar raste të kësaj veprimtarie, vitet e shkuara;
-rritja e efektivitetit të kontrolleve me këmbë dhe me dronë.
Gjithashtu, gjatë takimit u përcaktuan strategjitë që do të ndiqen dhe masat që do të ndërmerren gjatë vitit 2026, të cilat konsistojnë në intensifikimin e kontrolleve, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përdorimin e metodave të avancuara për monitorimin e territorit, me objektiv goditjen e çdo tentative për kultivim të bimëve narkotike, që në fazë të hershme.
Strukturat e DVP Durrës mbeten maksimalisht të angazhuara për të parandaluar dhe goditur çdo rast të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për të vijuar operacionet, punën operative, bashkëpunimin me qytetarët dhe kontrollet në të gjithë territorin e qarkut.




