Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, bëhet e mundur parandalimi i një ngjarje kriminale.
Vihet në pranga nje 45 vjeçar, për dhunë në familje.
Sekuestrohet 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë e ftohtë (thikë) dhe municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së informacionit se në lagjen Nr.18, Durrës, shtetasi E. LL., ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe kishte edhe armë zjarri në banesë, duke i rrezikuar kështu jetën bashkëshortes, menjëherë kanë ndërhyrë duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit:
E. Ll., 45 vjeç, banues në lagjen Nr.18, Durrës.
Shtetasi E. Ll. ushtronte dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij dhe gjatë ndërhyrjes së Policisë, iu gjet dhe iu sekuestrua ,në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri kallashnikov, një sasi municioni luftarak dhe 1 armë e ftohtë (thikë).
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale: “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve , armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja , blerja apo shitja pa leje e armeve te ftohta”.