Durrës/Në vijim të operacionit policor të koduar “Skema”, kapet 1 shtetas i shpallur në kërkim

Durrës

Në vijim të operacionit policor të koduar “Skema”, kapet 1 shtetas i shpallur në kërkim, i akuzuar për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Operacioni “Skema”, i zhvilluar 6 muaj më parë, identifikoi 7 shtetas, të cilët deklaronin të dhëna financiare fiktive të subjekteve që administronin apo ku ishin të punësuar, për të shmangur detyrimet tatimore. Kjo veprimtari kriminale dyshohet t’i ketë sjellë shtetit, rreth 3 milionë euro dëm ekonomik.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës kapën dhe ndaluan shtetasin L. T., 19 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në kuadër të operacionit të koduar “Skema”.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.