Durrës
Vijojnë kontrollet në vijën bregdetare, në vijim të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.
Lirohen hapësira të tjera në plazhin e Shkëmbit të Kavajës që ishin zënë në mënyrë të paligjshme.
Sekuestrohen 120 komplete me çadra dhe shezlongë.
Procedohen penalisht 1 shtetase.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.
Gjatë kontrolleve, në hapësira publike, në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, u hoqën dhe u sekuestruan në total 120 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga 1 shtetase.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. Sh., 42 vjeçe, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.