Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Zona”

Durrës/Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Zona”.

Shiste lëndë narkotike në zonën e Plazhit, kapet dhe vihet në pranga 18-vjeçari.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Zona”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që shpërndante lëndë narkotike në këtë zonë.

Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi:

K. K., 18 vjeç, banues në Rrashbull, Durrës.

Ky shtetas u kap në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, duke drejtuar një automjet pa leje drejtimi. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan dhjetëra doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa dhe qese farmaceutike, të dyshuara për paketimin e lëndës narkotike.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasit K. K. iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.