Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “The fugitive”

Durrës

Finalizohet operacioni policor i koduar “The fugitive”.

I shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kapet në flagrancë me doza kanabisi dhe vihet në pranga 33-vjeçari.

Sekuestrohen dhjetëra doza kanabisi, një peshore elektronike dhe një radio policie, që iu gjetën 33-vjeçarit, në momentin që u lokalizua nga punonjësit e Policisë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, operacionin policor të koduar “The fugitive”, për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjatë operacionit, u kap shtetasi në kërkim M. R., 33 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën dhjetëra doza kanabisi, një peshore elektronike, një radio policie dhe dy celularë, të cilat u sekuestruan në cilesinë e provës materiale.

Shtetasi M. R. ishte shpallur në kërkim pasi:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, më datë 24.01.2024, ka lëshuar urdhër ndalimi për të, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim;
Prokuroria pranë Gjykatës së Gjirokastrës, më datë 12.12.2023, ka dërguar urdhrin e ekzekutimit të masës së sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.