Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Pamjet”

Vidhte shuma parash dhe aksesorë në automjetet e pushuesve, motoçikleta dhe sende me vlerë në banesa, lokalizohet dhe vihet në pranga 40-vjeçari.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Komisariati i Policisë Durrës, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të autorësisë së vjedhjeve të ndodhura më parë, si dhe bazuar në informacionet e siguruara nga këqyrja e kamerave dhe në prova të tjera të siguruara gjatë hetimit, u finalizua operacioni policor i koduar “Pamjet”.

Në kuadër të operacionit, bazuar në prova e siguruara, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit G. Ll., 40 vjeç, banues ne Durrës (i shpallur në kërkim për disa vjedhje të tjera të ndodhura më parë).

Nga hetimet e kryera dhe nga analizimi i pamjeve filmike rezulton se ky shtetas është autor i 5 vjedhjeve të ndodhura në lagjet nr. 12 dhe nr. 17, ku ka vjedhur në automjete, shuma parash në euro, aksesorë dhe sende me vlerë, ka vjedhur motoçikleta, si dhe ka vjedhur sende me vlerë në banesa.

40-vjeçari ishte shpallur në kërkim, i dyshuar për disa vjedhje në banesa të ndodhura më parë, në disa lagje të qytetit të Durrësit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjetet që ky shtetas përdorte për të kryer vjedhje.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi në fushën e vjedhjes së pronës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë te Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë.