Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Objektivi”

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Objektivi”

Theu xhamin e një automjeti dhe i mori me dhunë drejtuesit të automjetit çantën, ku brenda saj kishte një sasi të konsiderueshme parash dhe një telefon. Policia identifikon dhe vë në pranga autorin.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Objektivi”.

Në kuadër të këtij operacioni, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës identifikuan, kapën dhe arrestuan shtetasin E. H., 38 vjeç, banues në Durrës.

Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas, në lagjen nr. 14, Shkozet, Durrës, ka thyer xhamin e makinës dhe e ka goditur me grushte drejtuesin e automjetit, duke i marrë çantën, ku brenda kishte një shumë parash (euro dhe lekë), si dhe një telefon.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Shkatërrimi i pronës”.