Durrës
Arrestohet në flagrancë 1 drejtues automjeti dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, për tentativë për të korruptuar punonjësit e Policisë.
Gjatë monitorimit të akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë në rrugë, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin V. Gj., pasi po kryente manovra me automjet. Pas kryerjes së alkooltestit, ky shtetas rezultoi në gjendje të dehur. Gjatë veprimeve policore, ai i ka ofruar punonjësit të Policisë, një shumë parash, për të shmangur ndëshkimin ligjor.
Në vijim, kanë ndaluar për verifikim dokumentacioni, 3 drejtues të tjerë automjetesh, të cilët gjatë veprimeve policore, iu kanë ofruar para, punonjësve të Policisë.
Në përfundim të veprimeve u arrestua shtetasi V. Gj., 51 vjeç, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Xh. H., 29 vjeç, banues në Pogradec, M. L., 35 vjeç dhe A. L., 33 vjeç, të dy banues në Durrës, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.
Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm nga Policia.