Durrës/Arrestohet autori i dyshuar i dy vjedhjeve

Durrës

I mori me dhunë portofolin dhe celularin një shtetasi, në rrugë, gjatë natës, Policia identifikon dhe arreston 28-vjeçarin.

28-vjeçari disa ditë më parë i ka vjedhur celularin dhe një shtetasi tjetër.

I arrestuari, i dënuar më parë për vjedhje.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 13, Durrës, një shtetasi i kishin marrë me dhunë profofolin dhe celularin, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u identifikua, u kap dhe u arrestua për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, shtetasi R. Z., 28 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për vjedhje.

Ky shtetas dyshohet se gjatë natës, në rrugën “Pavarësia”, në lagjen nr. 13, i ka marrë me dhunë portofolin dhe celularin, një 38-vjeçari.

Nga verifikimet rezultoi se shtetasi R. Z., më datë 05.06.2025, i ka vjedhur celularin dhe një shtetasi tjetër.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.