Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë
Kaluan ilegalisht kufirin e gjelbër, me 3 kamionë pa targa, të ngarkuar me 24 metra kub dru të prerë në Greqi, procedohen penalisht 5 shtetas.
Procedohet penalisht edhe djali i njërit prej tyre, pasi nuk iu bind urdhrave të punonjësve të Policisë, për t’u larguar nga vendngjarja, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale me babanë e tij.
Sekuestrohen kamionët, së bashku me lëndën drusore.
Gjatë kontrolleve të kryera përgjatë kufirit të gjelbër me Greqinë, si dhe zonës përreth, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë konstatuan në fshatin Arrëz, 3 kamionë pa targa, të ngarkuar me dru të dyshuar të siguruar në kundërshtim me ligjin, në Greqi.
Për këto raste, filloi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”, për shtetasit B. M., 46 vjeç, A. A., 67 vjeç dhe E. Z., 41 vjeç, si dhe për shtetasit E. H., 44 vjeç dhe B. H., 48 vjeç, vëllezër, të gjithë banues në fshatin Arrëz.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë, për djalin e 67-vjeçarit, shtetasin M. A., 35 vjeç, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Kontrollet kundër paligjshmërive në kufi dhe lëvizjeve ilegale, vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.