Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë/Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen penalisht 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të DVP Vlorë ndaluan shtetasin R. R., 40 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitura” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”, pasi më datë 22.03.2025 dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një 15-vjeçare. Gjithashtu, shtetasi R. R. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin F. Q., 33 vjeç (për të cilin ka nisur procedimi penal për veprën penale “Nxitja për përdorimin e drogës”), ka nxitur 15-vjeçaren dhe dy shoqe të saj, 15 dhe 16 vjeçe, për të përdorur lëndë narkotike.
Veprimet procedurale për këtë rast janë kryer në prani të prindërve të shtetaseve të mitura, psikologes së DVP Vlorë dhe mbrojtësve ligjorë.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
–
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin S. P., 54 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj ish-bashkëshortes së tij. Kjo shtetase u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.