Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë referoi materialet në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin E. M., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik në Sarandë, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.

Komisariati i Policisë Vlorë referoi materiale në Prokurori dhe shpalli në kërkim shtetasin D. N., 30 vjeç, pasi shtetasja E. Ç., 26 vjeçe, ka bërë kallëzim se ish-bashkëjetuesi i saj, shtetasi D. N., e ka përndjekur dhe i ka ndërhyrë në jetën e saj private. Punohet për kapjen e tij dhe sqarimin e plotë të rastit.

Komisariati i Policisë Vlorë referoi materiale në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasit:

* Xh. Ç., 78 vjeç, dhe M. S., 77 vjeçe, pasi dyshohen se në lagjen “Pavarësia,” këta shtetas, për motive të dobëta, janë konfliktuar me njëri-tjetrin.

* F. P., 36 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur një biçikletë në lagjen “Pavarësia,” Vlorë.

Po ky komisariat referoi materiale në Prokurori për vlerësim, pasi më datë 09.11.2024, në spital është paraqitur i shoqëruar nga prindërit një shtetas i mitur 2-vjeçar, i cili dyshohet se nga pakujdesia ka konsumuar një sasi të vogël lëndë djegëse (benzinë) në oborrin e banesës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Komisariati i Policisë Sarandë referoi materiale në Prokurori për vlerësim, pasi më datë 09.11.2024, shtetasi A. R., 38 vjeç, banues në fshatin Kopaçez, Delvinë, ka bërë kallëzim se gjatë natës, në lagjen Nr.1, rruga “Skënderbeu”, Sarandë, i kanë dëmtuar mjetin mini ekskavator të markës JCB, të cilin e kishte të parkuar.

Stacioni i Policisë Konispol referoi materiale në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin A. B., 43 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij në banesën e tyre në fshatin Xarrë.

Komisariati i Policisë Himarë referoi materiale në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasit

* G. K., 47 vjeç, banues në Borsh, Himarë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi F. I., 65 vjeç, banues në Tiranë, se 47-vjeçari i ka zaptuar një sipërfaqe të pronës së tij në fshatin Borsh.

* M. L., 57 vjeç, banues në Himarë, pasi më datë 11.10.2024, ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi M. G., 76 vjeç, banues në Himarë,
se 57-vjeçari për motive të dobëta e ka kërcënuar dhe ofenduar.

Komisariati i Policisë Delvinë referoi materiale në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin A. Sh., 54 vjeç, banues në Delvinë, pasi dyshohet se më datë 07.11.2024, në Delvinë, për motive të dobëta, ka dëmtuar automjetin tip “Volkswagen” në pronësi të shtetasit E. Ç., 46 vjeç.

Sektori i Policisë Rrugore në DVP Vlorë referoi materiale në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin D. Ç., 36 vjeç, banues në Tragjas, Vlorë, pasi më datë 08.11.2024, duke drejtuar mjetin tip “Fiat” në aksin rrugor Orikum-Vlorë, në gjendje të dehur, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë ka dalë nga rruga. Aktualisht 36-vjeçari ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë jashtë rrezikut për jetën.

Po ky sektor, në vijim të veprimeve lidhur me aksidentin rrugor të ndodhur mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Vlorë – Fier”, pranë fshatit “Bestrovë”, ku, si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit dhe daljes së tij nga rruga, mbetën të dëmtuar vetë drejtuesi dhe dy pasagjerët, jashtë rrezikut për jetën, arrestoi drejtuesin, shtetasin K. L., 31 vjeç, banues në Vlorë, pasi rezultoi se drejtonte automjetin tip “Porsche” në gjendje të dehur.

Materialet iu referuan Prokurorive për veprime të mëtejshme.