Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Shals, Konispol, ku shtetasi H. I., 69 vjeç, në banesë, dyshohet se goditi me sëpatë, në kokë, për motive të dobëta, bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. I., 67 vjeçe, e cila si pasojë humbi jetën, Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit arrestoi në flagrancë djalin e tyre, shtetasin K. I., 41 vjeç, për veprën penale “Vrasja e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”. Shtetasi K. I. dyshohet se pasi ka parë nënën e tij të pajetë, është konfliktuar fizikisht me babanë e tij, e ka shtyrë atë nga shkallët e banesës dhe si pasojë e dëmtimeve, 69-vjeçari ka humbur jetën.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve arrestoi shtetasin K. B., 20 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde narkotike cannabis.
Stacioni i Policisë Selenicë referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin V. Y., 65 vjeç, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr për të pastruar tokën e tij, në fshatin Mesaplik, dhe nga përhapja e flakëve janë djegur 25 pemë ulliri dhe 4 ha sipërfaqe toke kullotë.
Seksioni i Policisë Rrugore në DVP Vlorë, në vijim të veprimeve procedurale të keyera për aksidentin rrugor të ndodhur në aksin “Vlorë – Zvërnec”, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Triportit”, arrestoi shtetasin N. P., 59 vjeç, banues në Vlorë, pasi automjetin tip “Benz” që ai drejtonte është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin M. L., 62 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.
Seksioni i Policisë Rrugore në Sarandë arrestoi shtetasin turk Z. G., 26 vjeç, banues në Turqi, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Sarandë-Ksamil”, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, si dhe ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë kryerjes së detyrës.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive, për veprime të mëtejshme.