Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Vlorë arrestuan, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, kryer për qëllime fitimi, shtetasit L. D., 41 vjeç, K. C., 40 vjeç dhe I. Zh., 52 vjeç, me funksione inxhinier zbatimi dhe drejtues projekti, pasi dyshohet se kanë lejuar punime ndërtimi nga puntorët e tyre, në zonën e Jalës dhe Dhërmiut, pa u pajisur me dokumentacionin përkatës. Për të njëjtën vepër penale u shpall në kërkim edhe shtetasi L. Gj., banues në fshatin Vuno. Gjithashtu, u proceduan penalisht 4 punonjës të IMT-së të Bashkisë Himarë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, konkretisht E. V., 44 vjeç, drejtor i IMT-së, dhe M. K., 30 vjeç, A. J., 27 vjeç, R. K., 30 vjeç, të tre me detyrë inspektorë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin K. I., 37 vjeç, banues në Elbasan, pasi bashkëshortja e tij ka kallëzuar se ai i ka ushtruar dhunë psikologjike.
Po këta specialistë referuan materiale në Prokurori dhe po punojnë për gjetjen e shtetases A. Ll., 37 vjeçe, banuese në Vlorë, e cila prej datës 29.05.2025 është larguar nga banesa dhe ka humbur kontaktet me familjarët e saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin E. D., 42 vjeç, banues në Borsh, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi F. L., se i ka zaptuar një sipërfaqe toke në fshatin Borsh, duke kryer punime ndërtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasen P. G., 56 vjeçe, banuese në Sarandë, pasi dyshohet se ka vjedhur 2 aparate celulare dhe një shumë parash në banesën e një shtetaseje në fshatin Stjar, Delvinë.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.