Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
•Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin O. L., 22 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se më datë 16.05.2025, i ka shitur një sasi lëndë narkotike kokainë një shtetaseje të mitur 15 vjeçare, e cila si pasojë e konsumimit të lëndës narkotike ka marrë ndihmë mjekësore në spital.
•Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal ndaj shtetasit E. S., 44 vjeç, banues në Vlorë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim xhaxhai i tij, se ka ndërhyrë në rrjetin e ujësjellësit në linjën e përbashkët, pa lejen e organeve kompetente.
•Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal ndaj shtetasve:
– F. Gj., 51 vjeç, banues në Dhërmi, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim bashkëshortja, e cila pretendon se është dhunuar fizikisht prej tij.
– M. B., 55 vjeç, banues në fshatin Vranisht, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasi K. L., se pas një debati verbal, i ka dëmtuar varrin e babait.
•Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi më datë 16.05.2025, në fshatin Borsh, dyshohet se për shkaqe aksidentale ka rënë zjarr dhe është djegur një beach bar, në pronësi të shtetasit E. Gj., 22 vjeç, banues në Tiranë.
•Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në Vlorë dhe Sarandë arrestuan shtetasit:
– I. L., 63 vjeç, banues në fshatin Bestrovë, pasi u konstatua nga shërbimet në aksin rrugor Vlorë–Novoselë, duke drejtuar motorin, pa leje drejtimi.
– C. G., 20 vjeçe, banuese në Itali, pasi në aksin rrugor Ksamil–Sarandë, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, është përplasur me bordurën e rrugës, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Materialet iu referuan Prokurorive për veprime të mëtejshme procedurale.