Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit ekzekutuan urdhrin e Prokurorit, për shtetasin në kërkim E. B., 36 vjeç, banues në Orikum, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Q. B., më datë 26.01.2025, në Orikum, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të disa personave që ndodheshin në një lokal, ku si pasojë mbeti i plagosur shtetasi S. V.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materiale në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin I. S., 25 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis. Vijon puna për kapjen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin R. N., 45 vjeç, me detyrë inxhinier zbatues në një kompani ndërtimi, pasi më datë 30.04.2025, është dëmtuar gjatë punës, në kompleksin që ndërtohet nga kjo kompani, punonjësi i tyre, shtetasi Sh. T., 57 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Po këta specialistë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasen E. Rr., 22 vjeçe, banuese në Vlorë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetuesit të saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori, pasi më datë 30.04.2025, rreth orës 18:40, në lagjen “Lef Sallata”, Vlorë, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr dhe është djegur një automjet tip “Volkswagen”, i cili ishte i parkuar në një garazh.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin E. D., 20 vjeç, banues në Sarandë, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Skënderbeu”, duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.