Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 19.04.2025, në ambientet e aeroportit në ndërtim, në Akërni, ku humbi jetën si pasojë e rrëzimit nga lartësia, shtetasi D. H., 38 vjeç, punonjës i kompanisë së ndërtimit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin D. N., 45 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i kompanisë së ndërtimit, si dhe nisën procedimin penal për shtetasin U. S., 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës i punimeve në të njëjtën kompani. Këta shtetas dyshohet se kanë shkelur detyrimet ligjore për zbatimin e masave të sigurisë teknike në vendin e punës, çka ka sjellë si pasojë vdekjen e punonjësit D. H.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë arrestuan shtetasin E. D., 25 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, në fshatin Dhërmi, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan shtetasin N. P., 29 vjeç, banues në Sarandë, pasi u konstatua nga shërbimet, në rrugën “Skënderbeu”, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë u referuan materiale në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin R. Y., 30 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se ka dëmtuar xhamin e një automjeti të parkuar, si dhe ka vjedhur një shumë parash.
Po nga këta specialistë u referuan materiale në Prokurori, pasi më datë 18.04.2025, në spitalin e Vlorës ka marrë ndihmë mjekësore një shtetase e mitur 16-vjeçare, e cila dyshohet se në gjendje psikologjike të rënduar ka konsumuar disa medikamente. E mitura aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.