Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 ndaluan me iniciativë shtetasit I. A. dhe R. Sh., pasi u kapën duke hedhur inerte në liqenin e Farkës, në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-A. T., 50 vjeç, pasi në një sipërfaqe toke në pronësi të tij, u gjetën inerte që dyshohet se ishin hedhur në tejkalim të lejes që ky shtetas posedon për këtë aktivitet. Gjithashtu, ai dyshohet se ka kanosur gazetarët e emisionit “Piranjat”, gjatë trajtimit të këtij rasti, të cilët nuk kanë bërë kallëzim me këtë pretendim;
-R. D., 62 vjeç, pasi në një sipërfaqe toke në pronësi të tij, në fshatin Picallë, u gjetën inerte të dyshuara të hedhura në kundërshtim me ligjin;
-F. M., 42 vjeç dhe D. B., 51 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-L. C., 29 vjeçe dhe B. R., 23 vjeçe, shtetase të huaja, pasi dyshohet se ushtronin prostitucion, në një banesë të marrë me qira;
-M. N., 29 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur nëpërmjet thirrjeve telefonike, bashkëshortin e motrës së tij. I dëmtuari kallëzon gjithashtu se 29-vjeçari ka nxitur 2 shtetas, për ta dhunuar fizikisht. Punohet për identifikimin dhe kapjen e 2 shtetasve, si dhe për verifikimin e rrethanave të rastit;
-I. U., 45 vjeç, A. K., 22 vjeç dhe A. M., 33 vjeç, pasi shtetasit I. U. dhe A. K. kanë goditur me grushte 33-vjeçarin, me pretendimin se nuk iu kishte dorëzuar paratë e fituara nga puna si taksist në kompaninë e tyre;
-N. B., 65 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka qëlluar me shpullë, një 12-vjeçar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. Sh., 37 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grusht, një 49-vjeçar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. G., 65 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një 61-vjeçar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 shpallën në kërkim shtetasin O. A., 28 vjeç, pasi dyshohet se në Vaqarr, i ka marrë me forcë, automjetin, një 26-vjeçari. Automjeti u gjet i braktisur në rrugën “Tanush Frashëri”. Po punohet intensivisht për kapjen e shtetasit O. A..

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasit:
-V. K., 54 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur këmbësoren, shtetasen M. P., 26 vjeçe, e cila aktualisht është në kujdesin e mjekëve;
-R. B., 46 vjeç, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motomjetin, të cilin e drejtonte në gjendje të dehur, dhe si pasojë motomjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti pati vetëm dëme materiale.

Kallëzuan shtetasit:
-H. S., 50 vjeç, se i kanë vjedhur një shumë parash në biznesin e tij. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të rastit;
-L. Q., 47 vjeçe, se prej datës 01.05.2025, ka humbur kontaktet me familjarët e saj, shtetasit R. Q., 22 vjeç dhe E. D., 25 vjeçe, të cilët sipas deklarimit të saj, janë larguar më datë 23.04.2025, në Sarandë, për pushime. Në bashkëpunim me Policinë e Sarandës, po kryhen kërkime për gjetjen e 2 shtetasve.

Dje, janë konfliktuar verbalisht, në rrugën “Ndre Mjeda”, shtetasit V. S., 38 vjeçe, A. A., 57 vjeç dhe E. P., 41 vjeç, dyshohet për pretendime në lidhje me një kontratë për furnizimin me energji elektrike, të lidhur nga punonjësi i OSHEE-së, shtetasi E. P., në banesën e 38-vjeçares, ndërtuar nëpërmjet kontratës së sipërmarrjes nga 57-vjeçari. Materialet procedurale në lidhje me rastin iu referuan Prokurorisë, me qëllim vlerësimin juridik.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.