Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin E. B., 31 vjeç, pasi shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i gjetën një sasi të vogël Kokaine dhe një shumë parash të dyshuar të përfituar nga shitja e lëndës narkotike.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Kibernetik shpallën në kërkim shtetasen J. Z., 33 vjeçe, pasi dyshohet se ka përndjekur në rrjete sociale, një 34-vjeçar. Punohet për kapjen e kësaj shtetaseje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. Sh., 51 vjeçe, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një 47-vjeçare.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 shpallën në kërkim shtetasin K. K., 30 vjeç, pasi dyshohet se së bashku me një shtetas ende të paidentifikuar, në një lokal në rrugën “Zydi Herri”, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, kanë plagosur me mjet prerës, shtetasin M. P., 35 vjeç, i cili është në spital, në kujdesin e mjekëve. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit P. S., 28 vjeç, K. I., 46 vjeç dhe M. L., 27 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. S., 47 vjeç, për moskallëzim të këtij krimi. Punohet për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në këtë rast.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Sh., 27 vjeç, I. H., 41 vjeç dhe H. B., 59 vjeç, pasi u kapën duke transportuar interte, në kundërshtim me ligjin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-arrestuan shtetasit N. L., 37 vjeç dhe A. D., 56 vjeç, si dhe shpallën në kërkim shtetasin Y. K., 59 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë mbajtur me forcë, në automjet, një 63-vjeçar. Punohet për kapjen e 59-vjeçarit;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen G. Gj., 35 vjeçe, pasi në një video të publikuar në një portal, duket se kryen veprime të dhunshme, kundrejt vajzës së mitur të bashkëjetuesit të saj. Po kryhen veprime hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.

Specialistët e qarkullimit rrugor shpallën në kërkim shtetasin E. L., 26 vjeç, pasi rreth orës 00:15 të datës 02.05.2025, në Sauk, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte dhe si pasojë, automjeti është përplasur me një automjet të parkuar. Pas aksidentit, 26-vjeçari ka braktisur automjetin në vendngjarje dhe është larguar. Në automjetin e tij kanë qenë pasagjerë një shtetas 16 vjeç dhe një shtetas 17 vjeç, të cilët janë dëmtuar nga përplasja dhe aktualisht janë në kujdesin e mjekëve. Punohet për kapjen e 26-vjeçarit, si dhe për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Rreth orës 04:40, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë i një pallati në rrugën “Jorgo Plaku”, shtetasja S. I., rreth 23 vjeçe, e cila është aktualisht në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit.

Rreth orës 11:00, është gjetur pa shenja jete, nga familjarët, dyshohet i vetëvarur në banesën e tij, në rrugën “Adem Jashari”, shtetasi F. S., rreth 67 vjeç. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.