Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Në kuadër të rritjes së sigurisë dhe ndërgjegjësimit të të rinjve, strukturat e Policisë së Tiranës po zhvillojnë takime informuese dhe bashkëbiseduese në institucionet arsimore të kryeqytetit, me fokus forcimin e sigurisë në shkolla dhe parandalimin e fenomeneve të paligjshme.
Gjatë këtyre aktiviteteve, nxënësit janë njohur me rreziqet që lidhen me përdorimin e lëndëve narkotike, dhunën mes bashkëmoshatarëve, bullizmin, përdorimin e rrjeteve sociale dhe sigurinë në rrugë.
Përfaqësuesit e Policisë kanë theksuar rëndësinë e raportimit të çdo rasti problematik dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm mes nxënësve, mësuesve, prindërve dhe institucioneve ligjzbatuese.
Në bashkëpunim me drejtuesit e shkollave dhe stafet pedagogjike, janë dhënë këshilla praktike për shmangien e situatave të rrezikshme, ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme dhe respektimin e rregullave, si brenda ashtu edhe jashtë ambienteve shkollore.
Policia e Tiranës mbetet e angazhuar në zbatimin e programeve parandaluese dhe edukative, duke synuar krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë të rinjtë.



