Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për një aksident në aksin rrugor “Koplik- Bajzë”, ju informojmë se në përfundim të veprimeve procedurale, Sektori i Policisë Rrugore arrestoi për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor,” shtetasin L. M., 48 vjeç, sepse me automjetin që drejtonte, ka përplasur motomjetin që drejtonte shtetasi R. Sh., 66 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.
Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-L. R., 80 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-N. A., 70 vjeç, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.
Komisariati i Policisë Pukë arrestoi shtetasin J. Gj., 35 vjeç, banues në fshatin Qerret i Vogël, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.
Policia Kufitare e PKK Muriqan referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. K., 37 vjeç, banues në Kosovë, pasi në bagazhin e automjetit që drejtonte, u gjetën 12 pako me lëndë piroteknike, pa dokumentacionin që kërkon ligji për tregtimin e këtyre lëndëve. 12 pakot u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.