Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Ndërkohë që ishte me masë detyrim paraqitjeje, për drejtim automjeti pa leje drejtimi, vodhi një automjet, shkaktoi aksident dhe u largua, shpallet në kërkim 34-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin K. A., 34 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se më datë 23.04.2025, në lagjen “Partizani”, ka vjedhur automjetin në pronësi të shtetasit S. M. dhe pas disa minutash, duke e drejtuar atë, pa qenë i pajisur me leje drejtimi, ka përplasur një motomjet dhe është larguar. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë drejtuesi dhe pasagjeri i motomjetit. Vijon puna për kapjen e shtetasit K. A.
—
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 62 vjeç, banues në Shkodër, dhe për një 17-vjeçar, pasi u kapën duke drejtuar motomjetet, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. Ç., 35 vjeç, banues në Shkodër dhe N. L., 41 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, pasi janë konstatuar duke transportuar pasagjerë me automjetet e tyre, në kundërshtim me ligjin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. N., banues në fshatin Koplik i Sipërm, pasi ka pushtuar një sipërfaqe toke, me pretendimin se është e tija.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.