Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një aksident në lagjen “3 Heronjtë”, ju informojmë se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan shtetasen E. N., 70 vjeçe, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. 70 vjeçarja duke drejtuar automjetin e saj, ka përplasur këmbësoren shtetasen L. N., 65 vjeçe, e cila si pasojë ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër.
Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-L. L., 33 vjeç, banues në Shkodër, pasi ditën e djeshme, në rrugën “ Isuf Sokoli”, duke drejtuar automjetin e tij, ka përplasur shtetasin S. L., 68 vjeç, i cili lëvizte me biçikletë. Nga përplasja është dëmtuar lehtë 68-vjeçari;
-S. M., 19 vjeç, banues në fshatin Melgushë, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.
Oficerët e Policisë Gjyqësore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. D., 34 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Ditën e djeshme 34 vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për lirimin e rrugës dhe ka refuzuar të paraqesë dokumentacionin e mjetit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. P., 18 vjeç, banues në Vau të Dejës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në automjetin e tij, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 shkop gome, 1 shkop shufër, 1 teh metalik dhe 1 pelerinë me mbishkrimin “Policia”.
Ditën e djeshme në lagjen “Vojo Kushi”, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në hyrjen e një pallati, ku është djegur kutia e matësve të energjisë elektrike. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.