Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit” dhe “Shkelja e së drejtës së zgjedhjes”, për shtetasin E. N., 24 vjeç, pasi ka publikuar në rrjetin social “TikTok”, një fotografi të fletës së votimit (të plotësuar) që e ka siguruar nëpërmjet shërbimit postar, duke qenë se është emigrant në Gjermani.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpifja”, për shtetasin Gj. Gj., 55 vjeç, banues në Lezhë, kandidat për deputet i subjektit politik “Partia Demokratike”, pasi kanë kallëzuar shtetasit D. P., E. L., E. S., P. Gj. dhe R. N. (përfaqësues dhe simpatizantë të subjektit politik “Partia Socialiste”), se 55-vjeçari ka publikuar në rrjetin social “Facebook”, një postim, nëpërmjet të cilit shpif se 5 shtetasit janë të implikuar në blerje votash dhe intimidim zgjedhësish.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasin Gj. P., 38 vjeç, banues në fshatin Kolsh, pasi ka kallëzuar shtetasi F. Z., me detyrë Zëvendëskryertar i bashkisë Lezhë, se 38-vjeçari, për motive që lidhen me fushatën elektorale, ka penguar me automjetin e tij, lëvizjen e mjeteve në fshatin Kolsh.

Këto shërbime referuan materialet në Prokurori për shtetasin P. N., 28 vjeç, aktualisht në IEVP Reç, pasi ka kallëzuar vëllai i tij, shtetasi Z. Z., se 28-vjeçari e ka kanosur për jetën, nëpërmjet një telefonate.

Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. P., 37 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se ka dëmtuar aksin rrugor “Shëngjin–Kune”, duke hapur një kanal për rregullimin e rrjetit ujësjellës, pa autorizim nga organet kompetente.

Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. G., 53 vjeç, banues në fshatin Barbullojë, pasi automjeti që drejtonte ky shtetas, është përplasur te kryqëzimi i Rrilës, me automjetin që drejtonte shtetasi A. Zh.. Si pasojë, është dëmtuar 53-vjeçari dhe një pasagjere në automjetin që drejtonte shtetasi A. Zh., të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.