Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Specialistët e Seksionit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen D. Sh., 21 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Milot-Mamurras”, automjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin Gj. L., 39 vjeç, banues në Laç. Nga aksidenti u dëmtua pasagjerja në automjetin që drejtonte shtetasja D. Sh., e cila po merr mjekim në spital, në gjendje jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Z. M., banues në fshatin Malaj, pasi gjatë kontrollit në një stallë bagëtish në fshatin Tarazh, u gjet një armë zjarri pushkë, që dyshohet se e posedonte ky shtetas. Arma u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në Komisariatin e Policisë Kurbin, ka kallëzuar shtetasi E. U., 34 vjeç, se më datë 22.04.2025, rreth orës 03:30, në afërsi të shinave të trenit, në qytetin e Laçit, është kanosur me armë zjarri nga 4 shtetas që nuk i njeh, të cilët lëviznin me një automjet. Vijojnë hetimet lidhur me kallëzimin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.