Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
•Më datë 27.10.2024, shtetasi A. P., 30 vjeç, ka telefonuar Sallën Operative dhe ka kallëzuar se më datë 27.10.2024, shtetasit A. Gj. dhe A. Gj. (babë e bir), për shkak të konflikteve të mëparshme, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin ai lëvizte në fshatin Pllanë. Menjëherë pas telefonatës, janë kryer të gjitha veprimet procedurale, si: marrja e deklarimeve të 3 shtetasve të implikuar, kryerja e kontrolleve në banesat e tyre, këqyrja e automjetit të 30-vjeçarit dhe këqyrja e vendit të ngjarjes. Në përfundim të tyre ka rezultuar se: automjeti i 30-vjeçarit ishte i padëmtuar nga plumba, në vendngjarje nuk janë gjetur gëzhoja, si dhe në banesat e 3 shtetasve të implikuar nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm. Me qëllim kryerjen e hetimeve të mëtejshme për këtë rast, Komisariati i Policisë Lezhë ka referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Kanosja”, për shtetasit A. Gj., 56 vjeç dhe A. Gj., 22 vjeç.
•Informacion shtesë/Në lidhje me aksidentin rrugor të ndodhur mbrëmjen e djeshme, në aksin “Lezhë-Milot”, në fshatin Spiten, ju informojmë se pas verifikimeve u identifikua shtetasi që humbi jetën si pasojë e këtij aksidenti, K. S., 41 vjeç, banues në fshatin Ishull Lezhë. Gjithashtu, u kryen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë të drejtuesit të automjetit që u përplas me automjetin që drejtonte 41-vjeçari, shtetasit A. R., 23 vjeç, banues në Shkodër. Aktualisht, 23-vjeçari, si pasojë e dëmtimeve nga aksidenti, është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Materialet iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
•Informacion paraprak/Rreth orës 07:30, Policia e Lezhës është njoftuar se është vjedhur me thyerje, një supermarket në fshatin Ishull Lezhë, objekt i cili monitorohej me sistem alarmi. Nga veprimet hetimore të deritanishme rezulton se është vjedhur kasaforta e marketit, brenda së cilës ka qenë xhiroja e shitjeve gjatë ditëve të fundit. Menjëherë pas njoftimit, një grup i posaçëm hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku në drejtimin e prokurorit dhe me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe të rrethanave të këtij rasti, vijojnë të kryhen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale, si: marrja e deklarimeve të punonjësve, këqyrja e kamerave, këqyrja e vendit të ngjarjes etj.