Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, gjatë 24 orëve të fundit

Komisariati i Policisë Korçë arrestoi në flagrancë shtetasin B. D., 45 vjeç, banues në Korçë, me detyrë mësues në një shkollë 9-vjeçare, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht, nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp”, dy 14-vjeçare, nxënëse të shkollës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan celularët e këtyre shtetasve.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për një konflikt të ndodhur në lagjen nr. 10, Korçë, si pasojë e të cilit mbeti i dëmtuar një 16-vjeçar, që është jashtë rrezikut për jetën, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar të këtij rasti, shtetasin R. I., 21 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftota”.

Komisariati i Policisë Maliq referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin M. Sh., 33 vjeç, banues në fshatin Stropckë, pasi u kap në fshatin Vreshtas, duke transportuar me kamion, 6 metër sterë lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme. Mjeti dhe lënda drusore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Sektori për Hetimin e Krimeve i DVKM Korçë referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin Sh. B., 47 vjeç, banues në fshatin Porodinë, Korçë, për veprën penale “Tregtimi dhe trasportimi i mallrave që janë kontrabandë”, pasi është kapur në aksin “Lajthizë-Korçë”, duke transportuar me automjet, disa kafshë, të cilat dyshohet se janë të kontrabanduara.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Më datë 12.11.2024, në lagjen nr. 4, Korçë, ka rënë zjarr në dhomën teknike të një pallati, dyshohet prej nxehtësisë së një tubi metalik. Si pasojë janë djegur dhoma teknike dhe disa sende të vjetra. Materialet për këtë rast u referuan në Prokurori, për vlerësim.