Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Komisariati i Policisë Korçë kapi dhe ndaloi shtetasin L. Sh., 44 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Korçës e ka dënuar me 3 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja”.
Gjithashtu, referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin R. H., 33 vjeç, banues në Korçë, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për kontroll fizik.
Komisariati i Policisë Pogradec referoi materialet në Prokurori dhe shpalli në kërkim shtetasit K. K., 29 vjeç dhe S. L., 31 vjeç, banues në Pogradec, pasi ka kallëzuar shtetasi F. D., 48 vjeç, se më datë 03.11.2024, në rrugën “Bishnicë-Jollë”, këta shtetas e kanë kanosur dhe i kanë dëmtuar kamionçinën që ai drejtonte, me qëllim që të bashkëpunonte me ta, për të prerë dru në mënyrë të paligjshme.
Gjithashtu, referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. T., 54 vjeç, banues në Pogradec, pasi ka dëmtuar xhamat e një biznesi (parukeri) ku ushtronte aktivitetin një 45-vjeçare, me pretendimin se objekti është në pronësi të tij dhe se 45-vjeçarja nuk i kishte paguar qiranë.
Në Komisariatin e Policisë Pogradec është paraqitur shtetasi A. E., 44 vjeç, banues në fshatin Velçan, i cili ka kallëzuar se më datë 04.11.2024, është larguar nga banesa, vajza e tij e mitur. Po punohet për gjetjen e saj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.