Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Komisariati i Policisë Korçë arrestoi në flagrancë shtetasin S. T., 24 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, që i kishte caktuar Gjykata, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin N. K., 71 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se më datë 10.10.2024, ka vjedhur kuletën e një shtetasje, në një dyqan.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për një aksident rrugor në fshatin Kodras, Ersekë, ju informojmë se Sektori i Policisë Rrugore arrestoi në flagrancë shtetasin A. K., 34 vjeç, banues në Ersekë, për veprat penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin R. B., 24 vjeç, banues në Greqi, pasi në PPK Kapshticë, në dalje, gjatë kontrollit në automjetin e tij, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me celularin dhe pasaportën e tij.

Më datë 12.10.2024, ka kallëzuar shtetasi N. Th., se në dyqanin e tij, në lagjen nr. 1, Korçë, një shtetas i paidentifikuar, i ka marrë një shumë parash, duke e kanosur me një mjet prerës (thikë). Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Më datë 13.10.2024, ka kallëzuar shtetasi V. K., 71 vjeç, kujdestar në një kishë në fshatin Dardhë, se ka konstatuar të zhvendosura dhe të hapura kutitë ku mblidheshin paratë nga vizitorët e kishës. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se mund të jetë vjedhur një shumë parash nga këto kuti. Po punohet për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.