Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Komisariati i Policisë Korçë ndaloi me iniciativë shtetasin D. K., 21 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, pasi dje në martenitetin e qytetit Korçë, ka lindur një fëmijë, një 14-vjeçare. Pas deklarimeve të marra nga Specialistët për Hetimin e Krimit 21-vjeçari ka pranuar që është babai i fëmijës.
Sektori i Policisë Rrugore arrestoi në flagrancë shtetasin A. B., 50 vjeç, pasi në lagjen nr. 10 Korçë u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme për një aksident rrugor në afërsi të fshatit Rëmbec, Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimin penal për shtetasin L. Gj., 31 vjeç, banues në fshatin Homezh, Pogradec. Ky shtetas në orën 20:40, në aksin rrugor Maliq – Plasë, duke drejtuar mjetin tip “Opel”, ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga dhe për pasojë është dëmtuar shtetasja G.H, 53 vjeçe, banuese në fshatin Radokal Sipër, Pogradec, pasagjere në mjet, e cila po merr mjekim në spitalin Korçë.
Komisariati i Policisë Pogradec referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. L., 29 vjeç, banus në fshatin Vërdovë, Pogradec, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka kanosur me fjalë një 57-vjeçar.
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasen V. M., 68 vjeçe, banuese në Korçë, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”, pasi gjatë shkëmbimit të një sasie lekësh në një exchange, u konstatua një kartmonedhë e prerjes 50 dollarë, e dyshuar e falsifikuar.
Shërbimet e PKK Kapshticë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin L. L., 66 vjeç, banues ne Fier, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, pasi në hyrje të pikës së Kalimit Kufitar, në kamionin që ky shtetas drejtonte u gjet i fshehur 1 emigrant nga vendet e treta.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.